Siç mëson Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.
Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia
“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.
Ky reagim i tij erdhi pasi ai zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u pasua me takimin trepalësh.
Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.