Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, i cili është shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tashmë ka përfunduar, raporton Gazeta Sinjali.
ZKM ka lëshuar njoftim ku thuhet se Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.
“Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.”
“Shtoi se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë. Kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.”
Siç ka bërë të ditur Kryeministria, Kurti theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme.
“Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.”

