Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kthimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës në shtëpi, është një nevojë urgjente.
Të tre efektivët, janë rrëmbyer nga forcat Serbe në kufirin mes dy vendeve dhe në bazë të fjalës së kryeministrit Rama, KFOR-i nuk do të dalë me një version publik për ngjarjen, por do të depozitojë një dosje mbi rastin në NATO.
Përtej gjithë versioneve nga palët, nuk ka asnjë rëndësi sipas Ramës asgjë nga këto, përveç faktit se është e qartë se policët nuk kanë bërë asnjë krim. Por edhe nëse supozohet se kufiri është shkelur prej tyre, përgjigja e vetme është kthimi i tyre në shtëpi dhe asnjë variant tjetër.
Mbi këtë, Shqipëria është fokusuar për ta bërë të mundur si plan, me përdorimin e kanaleve të mundshme. Teksa, sa i takon një zgjidhjeje përfundimtare, ai theksoi se e vetmja është plani i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të e si i tillë, është i pakushtëzueshëm.
Paqja sipas Ramës është në tryezë dhe çdo veprim tjetër jashtë kësaj linje, i takon vetëm aktorëve që kërkojnë përfitime të tjera politike, jo marrëveshjen.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

