Mbajtja e Lojërave Mesdhetare në Kosovë në vitin 2030, përfaqëson një ngjarje me përmasa historike, e cila tejkalon kufijtë e arenës sportive për t’u shndërruar në një platformë të rëndësishme diplomatike dhe politike për vendin. Kjo ngjarje, me një traditë mbi 50-vjeçare, nuk është vetëm një mundësi për të dëshmuar aftësitë sportive, por edhe një shans i artë për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, në një intervistë për KosovaPress, thekson se në rrafshin sportiv, Lojërat Mesdhetare konsiderohen si një prej garave më prestigjioze, veçanërisht në sportin e xhudos.
Kuka bën të ditur se në këtë disiplinë marrin pjesë fuqi botërore si Franca, Italia, Spanja, Turqia dhe Egjipti, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë.
Përfaqësimi i Kosovës në këtë nivel është një dëshmi e zhvillimit të sportit në vend.
“Lojërat Mesdhetare dihet që janë garë me të vërtetë e rëndësishme, marrë parasysh se tradita e Lojërave Mesdhetare është mbi 50 vjeçare. Për sportin e xhudos, është një nga garat më të rëndësishme në kalendarin e garave që mbahen çdo katër vite. Duhet theksuar se në Lojërat Mesdhetare, në sportin e xhudos marrin pjesë disa shtete që me të vërtetë sportin e xhudos e kanë prioritet dhe është sport me traditë, siç janë shtetet e Francës, Italisë, Spanjës, Portugalisë, Turqisë, Maroku, Algjeria, Egjipti. Shumica e shteteve që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare në sportin e xhudos, sportin e xhudos e kanë me të vërtetë të zhvilluar. Dhe për ne si federatë dhe si shtet i ri, pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare me të vërtetë është e rëndësishme”, thotë fillimisht Kuka.Megjithatë, rëndësia e vërtetë e kësaj ngjarjeje qëndron në dimensionin e saj diplomatik. Pritet që në lojërat e organizuara në Kosovë të marrin pjesë rreth 24 nga 26 shtetet anëtare. Mes tyre, një numër i konsiderueshëm janë vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pjesëmarrja e delegacioneve nga këto shtete ofron një mundësi unike për të paraqitur Kosovën si një shtet të ri, funksional dhe të aftë për të organizuar ngjarje të mëdha ndërkombëtare.
I pari i Federatës së Xhudos zbuloi për KosovaPress, se në këto lojëra, në vitin 2030, do të paraqiten edhe xhudistë të rinj, e jo vetëm ata që janë momentalisht në kulmin e tyre.
“Unë e besoj që ndonjëri do të jetë edhe nga këta sportistët që janë prezent aktiv. Por, sigurisht që do të ketë edhe sportistë të rinj, duke ditur që gara do të jetë edhe katër vite. Gjeneratat sigurisht që do të ndryshojn, por me siguri që edhe ndonjëri nga sportistët aktivë që janë tani, do të jetë pjesëmarrës në lojërat mesdhetare që do të mbahen në Kosovë”, bëri të ditur Kuka.

