Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapje të Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për klasat 7-9.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit.
Në fjalimin e tij, Kurti është shprehur se arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës,
“Ne duhet të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit ndërveprimin me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve edhe shkollave. Olimpiada që mbahet sot e jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Kjo olimpiadë i kontribuon ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbarëkombëtar në fushën e dijes dhe të shkencës” , është shprehur Kurti.
“Para nxënësve e nxënëseve garues në këtë garë, kryeministri tha se njohuritë në matematikë që fitohen gjatë shkollimit do të jenë një aset i rëndësishëm jetësor që do t’u hapin rrugë për studime dhe zhvillim profesional, pavarësisht fushës dhe profesionit që do ta zgjedhin”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Kurti theksoi se në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetet Qeveria është ai i gjithëpërfshirjes.
“Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin aktual akademik, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM”, është shprehur Kurti.
Kurti shtoi se strategjia e re e arsimit adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme.

