Telenews

Kurti e Krasniqi të vetëm sonte në darkë, për çka e ftoi Kryeministri e për çka do t’i shkojë kreu i PDK’së

 

 

Kryeministri e pret në darkë për të folur për përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit, por kryetari i PDK-së do të shkojë në takim për të folur për datën e zgjedhjeve të reja. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk do të marrin pjesë. Albin Kurti dhe Memli Krasniqi sonte do të ulen përballë njëri tjetrit jo me të njëjtin qëllim.

Vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi prej kryetarëve të partive opozitare do të shkojë sonte në darkë në një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Shefi i Qeverisë të premtën i ftoi të tre liderët e partive opozitare në një takim që është planifikuar të mbahet sot në 18:30 në një nga hotelet e Prishtinës.

Kurti i thirri ata në takim “për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legislative për sesionin pranveror”, siç thuhet në ftesë.

Por kryetari i PDK-së në darkë shkon për të folur për diçka tjetër. Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu tha se në këtë takim merr pjesë për të diskutuar mbi mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jetë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, tha Abdullahu.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e konsideroi të vonuar ftesën e Kurtit për takim, dhe në letrën që ia ktheu kryeministrit, e akuzoi atë se e ka shuar frymën e bashkëpunimit pozitë-opozitë.

“Në përgjigje të letrës suaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vjetësh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike të tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën që Abdixhiku ia ktheu Kurtit.

Ai përmendi se Kurti nuk i është përgjigjur asnjëherë gatishmërisë së LDK-së për “bashkëpunim reciprok”. Për çështjet legjislative, tha se mund të diksutojnë në Kryesinë e Kuvendit.

“Sa u përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politikë i japin edhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do të vazhdojë t’i votojë, siç edhe ka vepruar deri më tani”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e refuzoi gjithashtu takimin me Kurtin. Tha se çështja për të cilën është thirrur, është kompetencë e shefave të grupeve parlamentare.

“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, shkroi Haradinaj në letrën dërguar Kurtit, të cilën e publikoi vetë në Facebook.

Haradinaj i tha Kurtit se “në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”.

Në fund të muajit të kaluar, kryeministri i Kosovës u zotua në Bundestag se do ta bëjë të mundur miratimin e Kodit Civil, që përmban një nen për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Një detyrë padyshim e vështirë edhe dy vjet prej kur ky kod pati dështuar të miratohej në Kuvend. Kërkesën e Albin Kurtit e patën injoruar edhe me fjalime plot fyerje e homofobi deputetët konservatorë nga partia e tij e majtë.

Ndërkohë, Kurti është shprehur i hapur për zgjedhje të reja.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka paraqitur Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër dhe e ka propozuar 9 qershorin si datën e zgjedhjeve të reja.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka kryer diskutimet me partinë për listën zgjedhore dhe kërkon dorëheqjen e Qeverisë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj po përpiqet ta zgjerojë edhe pak koalicionin me Nismën e Fatmir Limajt.

source

Të ngajshme

KFOR-i kishte negociuar tërheqjen e paramilitarëve nga Banjska – çfarë thotë raporti i ICG-së

Normalizohet qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë

Sveçla me çiklistët shkojnë në Bërnjak, bëjnë homazhe edhe te pllaka e heroit Enver Zymeri