Telenews

Kurti: Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Albion Kumnovën, Artan Efendijën, Gëzim Deva, Lutfi Bunjakun, Bekim Bunjakun dhe Shkëlzen Binishin në 25-vjetoin e vrasjes së tyre.

“Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe. Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia.”

Kurti ka thënë se ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj.”

Ai ka thënë se si qeveri, “ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës”.

“Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve.”

Të ngajshme

Marrëveshja e Uashingtonit: Theksohet Roli i Saj në Marrëdhëniet Kosovë-Serbi

KushtrimGuraj

Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem

Erzana Fazliu

Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fillim të vitit të ardhshëm

Erzana Fazliu