Telenews

Kurti: Flijimi i Afrim Bunjaku ia ka vlejtur për Policinë, për shtetin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se idealet e dëshmorëve do të jetësohen, në një deklaratë në një-vjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Pas vizitës në familjen e heroit Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë, Kurti tha se flijimi i tij ia ka “vlejtur për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”.

“Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet. Morali i policisë sonë, edhe i ushtrisë sonë, kurrë s’ka qenë më i lartë. Andaj, kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fortë për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë tha se paramilitarët serbë të cilët e sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë heroin Bunjaku, fshihen në Serbi.

“Duke rënë Afrim Bunjaku, nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë dhe ata policë të cilët ishin në betejë bashkë me të, nuk lejuan që kufoma e Afrim Bunjakut, trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike. Forcat të cilat ishin të dirigjuara nga Serbia, me paramilitarë të cilët kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë, ikën me turp, i lanë të vrarët e të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e dinë që njëherë e përgjithmonë e kanë humbur betejën me shtetin tonë”, tha Kurti.

Përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, Kurti tha se është shteti i Serbisë. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për përkrahje që të vihet drejtësia në vend për këtë akt terrorist të Serbisë në Kosovë.

Të ngajshme

Muja u përgjigjet kritikave për vonesat e subvencioneve për bujqit: Pagesat janë kryer më herët se vitin e kaluar

Rrezarta Ramaj

Komisioni për Buxhet nuk e mbështet amendamentin për 4 milionë euro për Qendrën e Kujdesit Paliativ

Rrezarta Ramaj

Ky është Raif Aliu, 47-vjeçari që humbi jetën në Drenas

Rrezarta Ramaj