Telenews

Kurti i shpreh ngushëllime familjes së Shpat Kasapit: Muzika e tij bashkoi shqiptarët gjithandej botës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Kasapi pas ndarjes nga jeta të këngëtarit shqiptar, Shpat Kasapi.

Përmes një telegrami ngushëllimi, kryeministri shkroi se një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë.

“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, u shpreh kryeministri.

Kurti theksoi se muzika e Shpat Kasapit ka arritur të bashkojë shqiptarë në mbarë botën, duke veçuar bashkimin e shqiptarëve të Kosovës, Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Telegrami i plotë:

E nderuar familja Kasapi,

Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.

Me respekt të thellë,

Albin Kurti

Të ngajshme

Publikojnë fotot, Nora dhe Roberti bashkë në Paris

Rrezarta Ramaj

Instrumenti për Reforma dhe Rritje, sot takimi BE-Kosovë

Rrezarta Ramaj

Shpërndarja e mandateve deri tani: Vetëvendosje 53 ulëse, PDK 22, LDK 18, AAK 7

Rrezarta Ramaj