Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shpallë datën 11 korrik, Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Ekzekutivi që mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave nga ky gjenocid mori një sërë vendimesh në mbledhjen e së mërkurës. Qeveria emëroi një pjesë të bordit të ndërmarrjes “Trepça”, ndërkaq mori vendim për fillimin e procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe për dhënien e mbështetjes për kapacitete deri në 150 megavat. Krahas kësaj, ekzekutivi ndau mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.
Kryeministri Albin Kurti, tha se shpallja e datës 11 korrik, si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është një veprim fisnik dhe i duhur që mos të harrohet e përsëritet asnjëherë gjenocidi as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë.
Para kabinetit qeveritar, Kurti u mburr edhe për punën e ekzekutivit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024. Duke folur për rendimentin e grurit gjatë këtij viti, ai tha se pritjet janë që prodhimi i grurit të shtohet për 150 mijë ton. Kjo sipas tij do të plotësojë kërkesën e brendshme për konsum, pa pasur nevojë për import.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga era do të shton kapacitete energjetike deri në 150 megavat.