Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, do të mbahet pas takimit që priten të kenë kryenegociatorët e të dyja vendeve gjatë javës së ardhshme në Bruksel.
Kurti mbrëmë ka konfirmuar se fillimisht do të mbahet një takim mes kryenegociatorësh, e pastaj ai i nivelit të lartë.
“Ne do të takohemi në prill, fillimisht kryenegociatorët do të takohen e më pas niveli i lartë. Aty do të flasim për zbatimin e marrëveshjes”, tha Kurti gjatë intervistës në Debat Plus, përcjel Telenews.al.
Kurti ka thënë se takimi i javës së ardhshme në nivel kryenegociatorësh ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes tashmë të dakorduar.
Kryeministri ka përsëritur se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi e assesi të ketë “copëtim” të saj.
“Takimi që do të bëhet në javën e parë të prillit që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë takim mes meje e Vuçiq por ndërmjet kryenegociatorëve. Më 4 prill ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes, që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të shpejtë e të saktë të saj, prandaj ka nevojë për një takim të kryenegociatorëve. Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet, e diçka jo, ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes, ashtu nuk duhet të ketë as zbatim të njëanshëm”, tha Kurti.
Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohet takim në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.
Stano ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, janë ftuar në takim, për të avancuar përpara me hapat e parë për implementimin e marrëveshjes së arrirë.
Stano është shprehur i kënaqur që, siç ka thënë ai, dialogu po bëhet më i popullarizuar në rajon dhe se po organizohen gjithnjë e më shumë takime.
Kujtojmë që takimi i fundit në kuadër të dialogut, u mbajt në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Përfaqësuesit të Jashtëm të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, palët janë dakorduar mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve.
Borrell ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara, bazuar në deklaratën e tij.

