Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, që sipas njoftimeve lidhet me zhvillimet e fundit në Venezuelë.
Në deklarimin e tij, Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e narkotikëve është thelbësore për suksesin e luftës globale kundër kësaj dukurie.
“Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të drogave dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë,” thuhet në deklaratë.
Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti ka ritheksuar nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët, sipas tij, në vazhdimësi synojnë destabilizimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.
Ndërkohë, lidhur me raportimet për zhvillimet në Venezuelë, nuk ka ende konfirmim zyrtar ndërkombëtar, ndërsa institucionet e Kosovës kanë theksuar se qëndrimi i tyre mbetet i lidhur me parimet e sundimit të ligjit, sigurisë ndërkombëtare dhe aleancës me SHBA-në. /Telenews.al/

