Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës nuk është duke e forcuar ushtrinë e saj për t’i sulmuar të tjerët, por për ta mbrojtur veten.
Këtë deklaratë kryeministri Kurti e ka bërë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së klasës 2023 të Kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, është shprehur Kurti.
Sipas Kurtit, diplomimi i Kadetëve të FSK-së, na jep shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën.
Ai ka thënë se FSK në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht dhe ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është realiteti ynë dhe jetësimi i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri”, ka thënë Kurti.

