Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me arrestimin e Arbnor Spahiut, ish-zyrtarit policor të Kosovës në Beograd.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë”, ka shkruar Kurti, teksa ka shpërndarë postimin e MPJ rreth kësaj çështjeje.
“Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha të mërkurën se është duke i ndjekur me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, në Serbi, dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë.
Ndërkohë, për rastin e ish-policit të ndaluar në Serbi është angazhuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Kupina theksoi se presidentja Osmani ka kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe ka qenë po ashtu në kontakt me shtetet e QUINT-it dhe Zyrën e BE-së.
“Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, tha ai.
Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.
Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun gjoja për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Basnjkë në veri të Kosovës.
Serbia e akuzon Spahiun se ka kryer këtë vepër penale në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Por, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.