Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me katër vrasjet e ndodhura në tri ditët e fundit, duke shprehur shqetësimin dhe brengën për situatën alarmante.
“Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve, të cilat duhet të ndalohen dhe të dënohen. Vrasje është jo vetëm vrasje e njeriut, por e shoqërisë ku ai njeri bën pjesë, pra shoqërisë sonë”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.
Ai ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.
Këto ngjarje të rënda, siç ka thënë Kurti, ndodhën në javën kur Kosova shënon 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një periudhë kur kujtohen masakrat dhe përpjekjet për shfarosjen e shqiptarëve nga regjimi serb.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe bëj thirrje për angazhim maksimal të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë”, përfundoi Kurti.
Katër persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në tri raste të ndara në tri ditët e fundit në Kosovë.
Më 23 mars, të dielën, në Vushtrri vdiq një 19-vjeçar në Vushtrri. Dorasi dyshohet të jetë një bashkëmoshatar i tij. Ai është në paraburgim dhe e ka pranuar fajësinë.
Një ditë më pas, në Vushtrri ndodhi një vrasje e dyfishtë. Një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas i dha fund jetës së vet. Ky rast ndodhi në fshatin Stanoc.
E të martën në mbrëmje, një person rreth të 60-ave vdiq në Prishtinë pas plagëve të marra nga të shtënat që ndodhën në rrugën “Rrustem Hyseni”. I dyshuari është ende në arrati, sipas njoftimeve zyrtare të deritashme. Në këtë rast u plagos edhe një person tjetër, që sipas mjekëve, është në gjendje stabile.