Albin Kurti tha se nuk është në dorën e partisë së tij koalicioni i ardhshëm qeverisës.
I pyetur për situatën hipotetike pas zgjedhjeve të reja, kryetari i LVV-së tha se edhe tash është përpjekur e ka ofruar kompromise.
Duke iu referuar gjuhës së ashpër të tij ndaj kundërshtarëve, të cilët madje i kishte quajtur edhe “hajvanë”, Kurti u arsyua kështu: “Nuk është në dorën tonë. Besoni, jemi përpjekur maksimalisht. Kemi ofruar kompromise e koncesione, por nuk u bë. E tash, sa i përket gjuhës, nëse shikoni ju se çfarë na kanë thënë e na kanë quajtur neve, është e pakrahasueshme me çfarë mund t’u ketë thënë ndonjëri prej nesh atyre një herë. Është dallim i jashtëzakonshëm”.
Kurti tha se problemi nuk është te gjuha.
“Problemi i mospajtimeve nuk ka të bëjë me gjuhën që përdoret, sepse çfarë i kanë këta njëri-tjetrit e janë bërë bashkë, do të ishte e pashpjegueshme. Janë në pyetje interesat. Tash, LVV-ja, unë si kryeministër, duket që duke bërë gjëra të mira për Kosovën, kam prishë disa pazare e kumari”, tha ai.

