Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Çekia mbetet njëri nga partnerët më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesëmarrës të premten në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë, në shënim të Ditës Kombëtare të Çekisë, ku ka uruar popullin çek për këtë ditë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se është kënaqësi e madhe kremtimi i kësaj dite duke e konsideruar këtë shtet njërin nga partnerët më të ngushtë dhe si një aleat të palëkundur të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit, potencohet se ka shprehur mirënjohje veçanërisht për mbështetjen e Çekisë në përpjekjet e vendit drejt rrugës së integrimit euro-atlantik “derisa Republika Çeke këtë vit shënoi dy dekada të anëtarësimit në BE dhe një çerek shekulli në NATO”.
“I vlerësoj thellësisht marrëdhëniet e forta dhe miqësore mes dy vendeve tona. Jam i kënaqur të shoh duke u forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimi ynë dypalësh dhe shumëpalësh përmes ndërveprimeve të shtuara diplomatike dhe ekonomike, si dhe shkëmbimeve midis njerëzve tanë”, ka thënë kryeministri, siç citohet në komunikatë.
Kryeministri veçoi edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën i cili theksoi se “pas një periudhe të gjatë mori epilog përfundimtar dhe pozitiv gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian”.
“Një zhvillim tjetër pozitiv gjatë vitit të fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, kryeministri Kurti e nënvizoi përfaqësimin diplomatik përmes ambasadorëve me të drejta të plota në të dy vendet, gjë që reflekton drejtimin pozitiv në zhvillim të raporteve bilaterale”, thuhet në njoftim.
Kurti, po ashtu bëri thirrje për bashkëpunim të mëtutjeshëm për paqe, liri dhe solidaritet.
Kreu i Qeverisë ka marrë pjesë edhe të enjten në pritjen e organizuar nga ambasada e Austrisë në shënim të Ditës Kombëtare të Austrisë, ku ka uruar popullin austriak për këtë ditë të rëndësishme të tyre.

