Telenews

Kush do ta trashëgojë fanellën me numrin “10” te Real Madridi?

kush-do-ta-trashegoje-fanellen-me-numrin-“10”-te-real-madridi?

Futbolli modern prej kohësh i ka dhënë lamtumirën filozofisë së klasikes “dhjetë”, jo si numër, por si rol në fushë. Por te Real Madridi, kjo fanellë vazhdon të mbetet bosh – dhe këtë sezon pritet të marrë një emër të madh mbi supe.

Për herë të fundit, numri 10 u vesh nga Luka Modric në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj PSG-së. Që atëherë, kjo fanellë ikonike ka mbetur pa pronar.

Sipas “Marca”, janë dy emra që qëndrojnë mbi të tjerët për të trashëguar këtë numër legjendar – Kylian Mbappe dhe Arda Güler.

Mbappe – ylli i momentit

Kylian Mbappe ka gjithçka që i duhet një “dhjetësheje”: imazh, status, ndikim dhe histori. Ai mban të njëjtin numër në Kombëtaren e Francës dhe e kishte veshur në sezonin e tij të fundit me Monacon (2017/18). Por, që nga transferimi te Reali, Mbappe ka zgjedhur fanellën me numrin 9 – të liruar pas largimit të Karim Benzemas në vitin 2023.

Në sezonin e tij debutues me “Los Blancos”, ai shënoi 44 gola, fitoi “Këpucën e Artë” të La Ligas dhe titullin e golashënuesit më të mirë, duke dëshmuar se është i denjë për të mbajtur çdo numër simbolik të klubit.  Megjithatë, ai nuk ka kërkuar vetë numrin 10, çka lë të kuptohet se vendimi final do të vijë nga drejtuesit e klubit.

Arda Guler – pasuesi natyral?

Në krahun tjetër është Arda Guler, talenti turk që konsiderohet si një pasardhës i natyrshëm për fanellën 10. Me cilësitë teknike, vizionin dhe kreativitetin që ka, ai mishëron frymën e këtij numri.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, Guler ka filluar të ketë më shumë minuta dhe besim. Pas ndeshjes së fundit të Modrić me Realin, kroati i dhuroi fanellën e tij personale Gulerit – një gjest që mund të ketë simbolikë më të thellë se sa duket në pamje të parë.

Një “10” bosh – sërish?

Nuk do të ishte hera e parë që numri 10 mbetet i papërdorur te Real Madridi. Në sezonin 2013/14, askush nuk e mbajti këtë fanellë pas largimit të Mesut Özil, dhe u desh të vinte James Rodríguez për ta bërë sërish të gjallë këtë numër.

Kolumbiani e mbajti deri në 2017, për t’ia lënë Modrićit, i cili e veshi për 7 vite me radhë.

Tani, për sezonin 2025/26, Real Madridi duhet të vendosë nëse do t’ia besojë fanellën ikonike një superyll si Mbappe, një talent të ri si Güler – apo do të zgjedhë të presë edhe një herë.

Një vendim më shumë se numër

Përtej fushës, numri 10 është një aset komercial i jashtëzakonshëm. Ai shet fanella, tërheq vëmendje dhe krijon identitet. Në dekadat e fundit, ky numër ka përfaqësuar emra të mëdhenj si Luis Figo, James Rodríguez dhe Luka Modric.

Tani, Real Madridi ndodhet përballë një vendimi që nuk është vetëm formalitet numerik, por një zgjedhje me peshë historike dhe emocionale.

Vetëm një gjë është e sigurt: kushdo që do ta veshë këtë fanellë, duhet ta bartë me krenari – dhe me barrën e një trashëgimie të madhe.

Të ngajshme

Ndalet rryma në “Fadil Vokrri”, gjyqtari i jep fund pjesës së parë

KushtrimGuraj

Reagon për herë të parë bashkëshortja e Diogo Jotës që pas vdekjes së tij, ndan fotot prekëse nga dasma e tyre

Donat Hashani

Publikuan fotot e para të Marcus Rashford në qendrën stërvitore të Barcelonës

Valjeta Turkaj