Telenews

Kush është “Plaku” që u qëllua në kokë brenda një kafiterie në Prishtinë?

Mbrëmjen e së enjtes banorët e Bregut të Diellit në Prishtinë janë tmerruar nga të shtënat me armë zjarri.

Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali, nga të shtënat ka mbetur i lënduar rëndë Harbin Vitija, i njohur me nofkën “Plaku”, i cili dyshohet se ka qenë cak i një sulmi, ku dy persona të maskuar kanë hyrë në një kafiteri dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Si pasojë e të shtënave, Vitija është goditur në kokë dhe ka pësuar plagë të rënda trupore.

Ai është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor dhe ndodhet në Emergjencë, ndërsa gjendja e tij raportohet serioze.

Kush është “Plaku i Bregut”?

Harbin Vitija është një person i njohur për organet e rendit dhe rrethin shoqëror, i cili nga viti 2016 është përfshirë në disa raste që lidhen me botën e krimit.

Që nga viti 2016, ai është përfshirë në disa raste penale dhe ka vuajtur edhe dënim me burg.

Në korrik të vitit 2016, Harbin Vitija kishte gjuajtur me armë zjarri në festivalin e njohur “Beer Fest”, që po mbahej në sheshin “Nëna Tereza”.

Disa ditë më vonë, më 16 gusht, Policia e Kosovës kishte arritur ta arrestonte Harbin Vitijën, atëkohë 15 vjeçar. Ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Edhe në vitin 2020, ai u përfshi në një rast tjetër kriminal, ku ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “posedim i paautorizuar i armës”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 nëntor 2020, Harbin Vitija akuzohej se më 11 qershor 2020, rreth orës 21:30, në lokalin “Amarito” në rrugën “Rrahim Beqiri” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarin F.Z., në momentin që takohen rastësisht në lokal, dalin jashtë dhe aty i akuzuari e sulmon me armë të ftohtë (thikë), duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në fytyrë.

Më 10 dhjetor 2020, ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vite burgim për vrasje në tentativë, si dhe 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Më pas rasti ishte kthyer në rigjykim, ndërsa më 7 qershor 2021, Vitija para trupit gjykues deklaroi: “Jo nuk e pranoj fajësinë”.

Në nëntor të vitit 2022, Policia e Kosovës, me urdhëresë të gjykatës, kishte arritur të arrestojë Harbin Vitijën, lidhur me rastin për të cilin ishte dënuar me burgim, dhe ai ishte dërguar në vuajtje të dënimit për “lëndim të rëndë trupor”.

Ndërsa, natën e 13 qershorit 2024, Harbin Vitija, i njohur me nofkën “Plaku i Bregut”, dyshohet se kishte shtënë me kallashnikov AK-47 në drejtim të një grupi personash me të cilët një ditë më parë kishte pasur konflikt verbal. Palët e përfshira në rast janë kërkuar nga Policia, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin sekuestruar 19 gëzhoja, si dhe gjatë bastisjes ishin gjetur fishekë, jelekë ushtarak dhe substanca narkotike.

Një vit më pas, “Plaku” ishte viktimë e një sulmi me thikë në Burgun e Dubravës.

I burgosuri që dyshohet për tentim vrasje ishte Ruzhdi Hasani, rreth 25-vjeçar, ndërsa viktimë Harbin Vitija, rreth 24-vjeçar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Ngjarjet e datës 15 maj

Rrezarta Ramaj

Të shtëna me armë në Prishtinë, dyshohet për një të vrarë

KushtrimGuraj

Kurti s’e ndal dorën, emëron edhe një zëvendësministër

KushtrimGuraj