Këngëtari i njohur Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi, vokalisti i grupit të famshëm “Ilirët”, është gjetur sot i vdekur në banesën e tij rreth orës 15:00.
Lajmi pë vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Kush ishte Shemi?
Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”.
Shemsi Krasniqi – Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock-ut dhe muzikës moderne shqiptare.
I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë. Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.
Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.
Me grupin “Ilirët”, Shemi interpretoi edhe këngë të tjera të njohura si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit”, “Larg vendlindjes” dhe shumë krijime të tjera që trajtonin temat e atdhedashurisë, mallit, identitetit dhe shpresës. Muzika e tyre ishte një ndërthurje e rock-ut me elemente folklorike, çka i bëri unikë në skenën shqiptare.
Përtej skenës muzikore, Shemi njihej si një artist i drejtpërdrejtë, autentik dhe i lidhur ngushtë me publikun. Ai ishte aktiv edhe në diasporë, ku koncertet e “Ilirëve” bashkonin shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, duke ruajtur dhe forcuar lidhjen me kulturën, muzikën dhe gjuhën shqipe.

