Ceremonia e Çmimeve Oscar 2026 u përmbyll të dielën mbrëma duke lënë pas disa momente historike në botën kinematografike.
Filmi thriller muzikor “Sinners” nuk i arriti pritshmëritë për çmimin kryesor ndërsa “One Battle After Another” ishte ai i cili u vlerësua nga akademia si Filmi më i Mirë.
Mirëpo, “Sinners” nuk e mbaroi natën pa fitore, pasiqë aktori kryesor Michael B Jordan mori në shtëpi çmimin për Aktorin më të Mirë dhe Autumn Durald Arkapaë u bë gruaja e parë që fitoi çmimin për kinematografi për filmin “Sinners”, duke u kërkuar të gjitha grave në Dolby Theatre të ngrihen, sepse momente të tilla nuk ndodhin pa gra që “të mbajnë shpinën dhe të avokojnë për ju”.
Për filmin “Hamnet”, aktorja Jessie Buckley fitoi çmimin për Aktoren më të Mirë, duke u bërë irlandezja e parë që triumfon në këtë kategori.
Regjisori Paul Thomas Anderson pati një natë madhështore në Oscar, duke fituar tre çmime: skenarin më të mirë të adaptuar për “One Battle After Another”, regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë. Ai tha se filmin e shkroi për fëmijët e tij, për të kërkuar falje për “rrëmujën” që lëmë në botë për gjeneratat e reja dhe me shpresën që ata sjellin “logjikë dhe dinjitet”.
Edhe Amy Madigan korri fitore. Para 40 vitesh ajo ishte nominuar për herë të parë për çmimin për Aktoren më të Mirë, ndërsa këtë vit ajo zotëroi çmimin për rolin e saj mbështetës si teze Gladys në “Weapons”, duke u bërë meme në internet për transformimin e saj dramatik. Derisa e falenderoi regjisorin Zach Cregger, ajo u hodh në krahët e bashkëshortit, Ed Harris, duke i thënë: “Asgjë nuk do të kishte kuptim pa ty pranë meje”.
Në segmentin “In Memoriam” u kujtuan artistët që humbën jetën gjatë vitit 2025, përfshirë Catherine O’Hara, Diane Keaton, Gene Hackman, Robert Duvall, Brigitte Bardot dhe Val Kilmer.
Barbra Streisand nderoi kolegun e saj në “The Way We Were”, Robert Redford, duke kënduar një pjesë nga kënga ikonike e këtij filmi.
Një grup yjesh i dha lamtumirën Rob Reiner, përfshirë mikun e tij të gjatë Billy Crystal, i cili e përshkroi Reiner si një artist të jashtëzakonshëm që solli emocione dhe humanitet në film. Pas fjalës së Crystal, u shfaqën yje që kishin shkëlqyer në filmat e Reiner, përfshirë Meg Ryan, Michael McKean, Demi Moore dhe Cary Elwes.

