Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, deputetët vazhdojnë të marrin paga, ndërsa të rinjve do t’u ekzekutohen retroaktivisht.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, edhe pse kanë kaluar gati katër muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deri më tani, Kuvendi është mbledhur dhjetë herë, por nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin, me kandidaturën e propozuar nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiun, që ka dështuar të marrë votat e nevojshme në gjashtë raunde votimi.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë kundërshtuar kandidaturën e Haxhiut, duke e konsideruar si “figurë përçarëse” dhe kërkojnë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit.
Ndërkohë që Kuvendi vazhdon të mos funksionojë, janë ngritur pikëpyetje në opinion publik për pagesat dhe meditjet e deputetëve.
Në një përgjigje për RTK-në, Zyra për Informim e Kuvendit ka bërë të ditur se deputetët që janë rizgjedhur nga legjislatura e kaluar kanë marrë pagat e tyre, ndërsa të sapozgjedhurve do t’u paguhen pagat retroaktivisht në maj.
“Paga e deputetëve llogaritet nga dita e betimit, sipas koeficientit të Ligjit të Pagave. Deputetëve të rinj do t’u procedohet paga për këtë periudhë në mënyrë retroaktive, me pagën e muajit maj”, thuhet në sqarim.
Për seancat e dështuara, Kuvendi sqaroi se nuk jepen meditje shtesë për deputetët.