Telenews

KY ËSHTË VENDIMI I FFK-SË, PËR ANKESËN E BALLKANIT QË KËRKOI 3 PIKË NDAJ ULPIANËS

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur sot për ankesën e bërë nga klubi i Ballkanit në lidhje me incidentin në ndeshjen ndaj Ulpianës.
Klubi i Ballkanit kishte bërë ankesë për ndeshjen ndaj Ulpianës, ku e kishte akuzuar këtë të fundit për aktivizim të jashtëligjshëm të një lojtari që nuk është i regjistruar në protokoll para ndeshjes.
Këtë ankesë tani e ka miratuar Komisioni i Garave, ku edhe e morri vendimin që ndeshja e cila përfundoi me barazim 1:1, të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Ballkanit.
Vendimin e Komisionit të Garave në lidhje me ankesën e Ballkanit e gjeni më poshtë.
“MIRATOHET SI E BAZUAR – Ankesa e F.C. “Ballkani” nga Suhareka, dhe ndeshja e javës së 30-të e BKT Superligës së Kosovës ndërmjet K.F. “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani” e përfunduar me rezultat 1:1, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të F.C. “Ballkani” nga Suhareka”, shkruante në vendimin e KG.
Ndërkaq, bëhet e ditur që pala e pakënaqur, në këtë rast skuadra e Ulpianë, mund t’i paraqesë ankesë Komisionit të Apelit të FFK-së shkalla e dytë, në afat prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi.
Me pikët e reja nga fitorja 3:0 në tavolinë, Ballkani ngjitet në kuotën e 66 pikëve, 11 sosh më shumë se vendi i dytë dhe i tretë, respektivisht Drita e Gjilani.

Të ngajshme

“Dardanët” në mbështetje të protestës së 17 tetorit në Tiranë

Valjeta Turkaj

Leo Messi arrin 60 asistime me Argjentinën, më së shumti në nivel të kombëtareve

Valjeta Turkaj

“Kosova është gati për ëndrrën e madhe”, flet Kreshnik Hajrizi, lojtari që la në hije yjet e Suedisë

KushtrimGuraj