Telenews

Lajçak pas takimit me Bislimin: Të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh

 

 

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar.

Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

Lajçak e ka thënë përmendur se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.

Pas vizitës në Kosovë, diplomati evropian do të takohet në pasditen e së mërkurës në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, mirëpo ai ka thënë se i është kërkuar që të mbajë pozitën që ka deri në fund të janarit të vitit 2025, dhe ka thënë se deri atëherë ka shumë punë për të bërë.

Përgjatë konferencës për media, Lajçak është pyetur edhe për raportin që kryediplomati evropian, Josep Borrell ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së, lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

Lajçak e ka ripërsëritur qëndrimin e tij që masat ndaj Kosovës do të duhej të hiqeshin si shenjë solidariteti pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, por që u takon vendeve të BE-së ta marrin atë vendim.

Kosova e konsideron si terrorist sulmin vdekjeprurës dhe akuzon Serbinë për organizim dhe kryerje të tij, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Përgjatë konferencës, Lajçak është pyetur edhe nëse duhet të hapet ura kryesore mbi lumin Ibër.

Lajçak ka thënë çështja e urës është e zgjidhur me dy marrëveshje të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pozicioni i BE-së ka qenë që ura duhet të hapet, mirëpo në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën dhe në mënyrë ideale duhet të diskutohet me personat që prek ky vendim”, duke përmendur mundësinë që për këtë temë të diskutohet sërish në kuadër të dialogut.

Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023 në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Aktualisht në krye të kësaj komune është Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Kundër hapjes së urës ka dalë javë më parë, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”.

source

Të ngajshme

Gërvalla tregon se a iu është drejtuar Kosova Serbisë për trupin e pajetë të Faton Hajrizit

Donat Hashani

Eksluzive: Dy të arrestuar për rastin e arratisjes së Faton Hajrizit

Donat Hashani

Regjistrimi në UP, interesim i lartë për këto dy degë

Donat Hashani