Emisari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serb, Miroslav Lajcak, i cili ka njoftuar se i është zgjatur mandati edhe disa muaj në këtë rol, e ka përdorur një metaforë për të krahasuar moszbatimin e marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia.
“Më duhet të them se është për të ardhur keq që palët nuk treguan fleksibilitetin dhe vullnetin e nevojshëm politik për të përmbushur atë që kishin premtuar në Ohër”, ka thënë ai.
“Për të përdorur një metaforë të vjetër, “ne i kemi çuar kuajt në ujë, por ata ende refuzojnë të pinë”, ka shtuar Lajçak.
Tutje, ai ka thënë se “nuk mendon se për këtë mund të fajësohet dialogu apo BE-ja, sepse përgjegjësia për respektimin e obligimeve dhe rrjedhimisht për zgjedhjen e rrugës së ardhshme për qytetarët e tyre, është e liderëve të Kosovës dhe Serbisë”.
Kjo, sipas Lajçak, veçanërisht kur e ardhmja evropiane e dy vendeve është e lidhur drejtpërdrejt me progresin në normalizimin e marrëdhënieve.
“Nga këndvështrimi im, kjo është dritëshkurtër, sepse tani – me përfshirjen e Ukrainës dhe Moldavisë në procesin e zgjerimit – ne më në fund kemi një shans real që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por, siç qëndrojnë gjërat, Kosova dhe Serbia mund të mos përfitojnë nga kjo dinamikë e re duke pasur parasysh pamundësinë e tyre për të bërë përparim në normalizim. Por ne jemi të duruar dhe kur palët janë gati për të ecur përpara, ne jemi aty për t’i mbështetur ato. Megjithatë, të jemi të qartë, iniciativa duhet të vijë nga ata”, ka theksuar ai.
Sllovaku është emëruar në postin e Ambasadorit të BE’së në Zvicër dhe ishte bërë e ditur se mandati i tij si emisar do të përfundojë në muajin gusht, por ai dje në Prishtinë ka njoftuar se do të mbetet në punë deri në janar. Lajçak sot do të vizitojë Beogradin ku do të pritet nga shefi i shtetit serb Aleksandar Vuçiq.