Në një intervistë për portalin Pavlovic Today, Lajçak ka theksuar se SHBA-ja e mbështet fuqishëm propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Kam pasur disa takime me të dy liderët veç e veç. Ata ishin njohur me propozimin, natyrisht, në detaje. Fundjavën e kaluar, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ata u takuan veçmas me Përfaqësuesin e lartë Borell, kancelarin gjerman Scholz dhe presidentin francez Macron”, tha Lajcak.
“Ata dëgjuan shumë qartë se çfarë pritet, çfarë pret Bashkimi Evropian prej tyre. Ne kemi një propozim dhe pastaj vijon pjesa zbatuese. Ne thamë që presim miratimin e propozimit dhe presim angazhim në pjesën zbatuese, bazuar në propozimin që kemi paraqitur”, tha Lajçak dhe shtoi se edhe liderët janë të ftuar të dalin me propozime realiste dhe konstruktive për këtë pjesë të dokumentit.
I pyetur se a do te jetë edhe themelimi i Asociacionit të Komunave serbe në agjendën e takimit në Bruksel, Lajçak u përgjigj se”ajo që do të jetë në rend dite është një propozim”.
Dhe propozimi gjithashtu përmban nivelin e duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë. Dhe gjëra të tjera. Ne presim që ata të pranojnë një dokument që ka një referencë shumë të qartë për këtë dhe ne presim që ata të diskutojnë se si ta zbatojnë atë”, theksoi Lajçak.

