Ky takim i jashtëzakonshëm pason një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic. Sulmuesit janë të kombësisë serbe.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi i sulmuesve është “formacion terrorist dhe kriminal”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili iu drejtua publikut të dielën në mbrëmje, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se serbët e Kosovës u rebeluan “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi këtë sulm.
Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion, dhe aktin si “terrorist”. /REL

