Ditën e djeshme është bërë një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të gjuhës shqipe në shtetin e Malit të Zi.
Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi që vije nga radhët e komunitetit shqiptar, Fatmir Gjeka dje ka bërë nënshkrimin e marrëveshjes për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi, shkruan Telenews.al
Kjo marrëveshje pritet të realizohet përmes softuerit Kulla e shqipes, për të gjithë banorët e Malit të Zi, zbatimi i së cilës do të fillojë brenda 10 ditësh.
Vlen të ceket se bartëse e këtij projekti do të jetë Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në bashkëpunim me kompaninë me bazë në Kosovë, Albasoft që është përgjegjëse për zbatimin e projektit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme për shqiptarët e Malit të Zi, përpos ministrit Fatmir Gjeka me Sekretarin shtetëror z.Astrit Hoxha, ishin prezent edhe drejtori i përgjithshëm për të drejtat e popujve pakicë, z.Arben Xhurreta dhe përfaqësuesit e kompanisë Albasoft.
Vlen të ceket se nga digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi, shqiptarët atje pritet të përfitojnë këto benifite nga ai:
– Fjalori i madh drejtshkrimor i gjuhës shqipe në formatin digjital, me mbi 300 mijë faqe A4, me mbi 8.000.000 forma morfologjike:
– Fjalori i madh shpjegues i gjuhës shqipe me mbi 80.000 fjalë dhe shprehje;
– Fjalori sinonimik dhe antonimik;
– Softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore në MS Word;
– Softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore;
– Softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj.

