Larry Summers jep dorëheqjen nga bordi i OpenAI pasi emailet e Epstein u bënë publike
Summers tha në një deklaratë për BBC se ishte “mirënjohës për mundësinë për të shërbyer, i emocionuar për potencialin e kompanisë dhe mezi pret të ndjekë progresin e tyre”.
Ish-sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers, ka dhënë dorëheqjen nga bordi i OpenAI, një javë pasi u publikuan një sërë email-esh midis tij dhe Jeffrey Epstein.
Summers tha në një deklaratë për BBC se ishte “mirënjohës për mundësinë për të shërbyer, i emocionuar për potencialin e kompanisë dhe mezi pret të ndjekë progresin e tyre”.
Summers, i cili dikur ishte gjithashtu president i Universitetit të Harvardit, tha të hënën se do të tërhiqej nga angazhimet publike në lidhje me lidhjet e tij me Epstein.
Email-et e publikuara së fundmi treguan se Summers komunikoi me Epstein deri një ditë para arrestimit të Epstein në vitin 2019 për trafikimin e dyshuar seksual të të miturve.
Në një deklaratë, kompania e inteligjencës artificiale tha se respektonte vendimin e Summers për të dhënë dorëheqjen.
“Ne i vlerësojmë kontributet e tij të shumta dhe perspektivën që ai solli në Bord”, tha OpenAI.
Lajmi vjen pasi të dy dhomat e Kongresit ranë dakord të martën të miratojnë një masë që i kërkon departamentit të drejtësisë të SHBA-ve të publikojë dosjet e tij mbi Epstein. Masa do të shkojë më pas në tavolinën e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për miratim.
Ai ka thënë se planifikon ta nënshkruajë projektligjin, pasi e ndryshoi qëndrimin e tij për këtë çështje pas kundërshtimit nga mbështetësit e tij.
Një grup emailesh të lidhura me Epstein, të publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar, përmendën një numër figurash të profilit të lartë në rrethin e mëparshëm të financierit, pa treguar ndonjë shkelje ligjore nga këto figura.
Emailet tregonin se Summers dhe Epstein darkonin shpesh së bashku, me Epstein që shpesh përpiqej ta lidhte Summers me figura të shquara globale.
Pasi emailet u ndanë me publikun, Summers tha se ai mori “përgjegjësinë e plotë për vendimin tim të gabuar për të vazhduar komunikimin me Z. Epstein”.

