Telenews

Latifi: Nuk dihet sa është borxhi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka paralajmëruar masa në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të fondeve për trajtim jashtë vendit.

Ai në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi ka theksuar se do të ketë edhe ndryshime serioze të bordit të Fondit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Ndërsa ka shtuar se nuk dihet se sa është borxhi i akumuluar i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Sipas tij, fondi për trajtim jashtë vendit është krijuar, por nuk ka pasur edhe kontrata ndërkombëtare. Ai në raportimin gjatë së mërkurës, deklaroi se pacientët po dërgohen jashtë vendit për diagnoza rutinore.

Ministri Latifi theksoi se tash e 11 vjet në Kosovë vjen një ekspert prej Australisë për trajtimin e sëmundjeve më të rënda të fëmijëve, por gjatë kësaj periudhe ka pasur mundësi që dikush në vend të përgatitej në këtë fushë.

“Nëse ka keqpërdorime me këtë, organet përkatëse do të merren me këtë. Ne jemi në fazën e përgatitjes të të gjitha informatave që po i marrim prej qytetarëve, prej deputetëve dhe me këtë çështje do të merren organet e drejtësisë përkatëse. Bordi i Fondit do të ketë ndryshime serioze dhe të duhura, nëse dikush e ka thyer ligjin. Nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën, atëherë do të ketë pasoja. Për llogarinë time, unë jam tmerruar, kur kam shkuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore e në oborr të Fondit janë dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve për t’i dërguar jashtë vendit”, ka deklaruar Latifi.

Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka deklaruar se qeveria aktuale nuk ka prioritet shëndetësinë, duke kritikuar Latifin edhe për menaxhim nga Amerika.

“Shumë herë po më thua se unë po e menaxhoj shëndetësinë prej Amerikës. Në realitet nëse ishte menaxhuar shëndetësinë prej Amerikës  do të ishte në gjendje më të mirë se kisha menduar si amerikanët. Ajo nuk është e vërtetë”, tha ai para anëtarëve të komisionit.

Po ashtu, ish-ministri i Shëndetësisë deklaroi se pasardhësi i tij është duke u shpërfillur nga qeveria.

“Ju jeni shpërfillur nga qeveria, nga menaxhmenti i Ministrisë së Shëndetësisë, ku nënkupton sekretarin e përgjithshëm dhe stafin mbikëqyrës që është në pjesën administrative. Jeni të shpërfillur nga bordi i SHSKUK-së edhe institucionet varëse, unë po flas për perceptimin, sepse këtë përvojë e ka pasur edhe komisioni në raport me bordin aktual”, ka deklaruar Zemaj.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar ministri Rifat Latifi.

“Ju siguroj edhe një herë se nëse shëndetësia nuk është prioritet dhe nëse unë shpërfillem nga Qeveria, atëherë unë nuk kam asnjë biznes të qëndroj këtu. Por, absolutisht nuk e kam këtë ndjenjë e unë si kirurg i hetoj sendet mjaft shpesh. Tash mund të flitet se ministri po kërkon këtë, por dikush nuk po e pranon. Atë ditë kur unë e marrë përgjigjen time e bindi veten se po shpërfillem në një mënyrë apo në një tjetër, atëherë flasim dhe e bëjmë një muhabet tjetër”, ka theksuar ai.

Sipas tij, QKUK jep shërbime terciare, sekondare e ndonjëherë edhe parësore dhe nuk ka udhëheqësi.

“Nuk ka udhëheqësi fare, drejtohet nga drejtori i SHSKUK-së që ajo ose ai me qenë “supermen”, me qenë menaxheri më i mirë në botë, është e pamundur fizikisht që të zhvillojë dhe menaxhoj gjithë atë gjigand shëndetësor. Shërbimet më të komplikuara mbahen aty, ndërsa aty janë pa udhëheqësi. Këtë seriozisht po kam shumë vështirësi ta kuptoj pse kjo ka ngjarë, e pse ngjan. Kjo është prej vitit 2014. Kjo nuk i ka shërbyer askujt, e më së paku neve qytetarëve të Kosovës. Kjo do të ndërrohet shumë shpejt, se është statuti që mund të ndërrohet para Ligjit për Shëndetësi”, ka shtuar ai.

Në vizitën që pati për herë të parë në Onkologji, Latifi tha se ka vërtetuar se planifikimi i QKUK-së nuk është i mirë. Sipas tij, në Kosovë blihen instrumente të shtrenjta, por nuk ka kuadër teknik.

Për më tepër ai tha se askush nuk e di sa është borxhi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Unë e kam përshtypjen se askush nuk po e di sa kemi borxh. Herë më thuhet se i kemi borxh 25 milionë, herë 28, herë 13. Ndërsa, numrat tonë të Ministrisë së Shëndetësisë janë mes 10 dhe 12. Unë i kam parë këto dokumente edhe ato janë në proces të referimit te Ministria e Financave që ne duhet t’i paguajmë”, tha Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka potencuar se janë mbi 72 për qind të barnave, ndërkaq mbi 90 për qind material shpenzues.  Por, kjo sipas deputetit Shemsedin Dreshaj nuk është realitet.

“Besomëni ministër, letra duron gjithçka, por ajo nuk është realitet. Këtë mund ta verifikoni kur të doni, as për barna e as për material shpenzues. Të mos flas për barna specifike”, ka deklaruar ai.

Gjatë raportimit, ministri Latifi ka theksuar se janë formuar grupet punuese për ndryshimet e 18 udhëzimeve administrative dhe gjashtë ligjeve, ndërkaq u zotua se janë duke punuar në mirëqenien punëtorëve shëndetësorë dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Të ngajshme

Lëngu natyral i portokallit – Disa arsye të mëdha shëndetësore pse duhet ta konsumojmë

Erzana Fazliu

Pse trangujt janë ushqim ideal në ditë të nxehta?

Valjeta Turkaj

Nga rrudhat te puçrrat, ja përse nuk duhet të flini kurrë pa hequr grimin

KushtrimGuraj