Kryeshefi ekzekutiv, Fisnik Osmani, duket se e ka ngatërruar ndërmarrjen publike me biznes privat. Me të ardhur në pozitë, në dy konkurset e hapura, ka punësuar ish-funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç ish-funksionarëve, paratë e “Termokos”-it po i marrin edhe familjarë të tyre. Gazeta Insajderi ju sjell detaje nga punësimet partiake në këtë ndërmarrje:
Insajderi ka raportuar përpara disa dite për punësimin e Fidan Rekaliut, ish-deputetit të LDK-së është punësuar në Termokos. Siç figuron në vendimin e marrë me 23 maj, Rekaliu është rehatuar në pozitën “Inspektues i mbrojtjes së sigurisë në punë”.
Fidan Rekaliu njihet qysh moti në skenën politike ai kishte pozita të rëndësishme në LDK. Në vitin 2017 dhe vitin 2019 ai ishte zgjedhur deputet.
i po ashtu ishte i afërt edhe me Agim Veliun ish kryetar i Podujevës.
Njeriu i LDK-së rehatohet me pozitë të rëndësishme në Termokos
Megjithatë, punësimet partiake s’përfundojnë me kaq. Në të njëjtin konkurs të majit, në pozitën ‘Inxhinier përgjegjës i Kimisë’ është punësuar Afrim Namani, njeriu i dytë i Xhafer Tahirit, anëtarit të kryesisë së LDK-së.
Namani përgjatë mandatit të Tahirit ushtroi funksionin e nënkryetarit të komunës së Vushtrrisë, si dhe drejtorit të Drejtorisë së Arsimit. Emërimi i tij erdhi pas prishjes së koalicionit LDK-VV në këtë komunë.
Afrim Namani, ish-nënkryetar i Komunës së Vushtrrisë – i punësuar në Termokos
Pozitë në ‘Termokos’ iu është rezervuar edhe asamblistes në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Lindita Rexhepi.
Ajo është përzgjedhur asistente prokurimi, duke marrë pikët maksimale në pikët me shkrim dhe nga intervista.
Rexhepi ishte në mesin e kandidateve më të votuara gra në zgjedhjet e fundit. Ajo grumbullonte 515 vota.
Së fundmi, pas “puçit” VV-Nisma në Komunën e Prishtinës, ajo është shkarkuar nga pozita e aksionares në Ndërmarrjen Publike “Prishtina Parking”.
Lindita Rexhepi, asambliste në Komunën e Prishitnës, njëherësh edhe asistente e prokurimit në Termokos
Gazeta Insajderi ka marrë informacione se në Termokos është pranuar në punë edhe vëllai i Hykmete Bajramit, Labinot Bajrami, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka arritur ta konfirmojë një gjë të tillë.
Në pozitën e inxhinierit përgjegjës për rajonin e qendrës në Termokos është “rehatuar” edhe Liridon Beqaj, bashkëshorti i Rita Hajzeraj-Beqaj, ish-zëvendësministre dhe ish-deputete nga radhët e LDK-së.
Liridon Beqaj, bashkëshorti i ish-zëvendësministres nga LDK-ja, Rita Hajzeraj
LDK-ja s’ka lënë pa e kapur edhe pozitën e fotografit në ndërmarrje publike. Atë ia ka rezervuar kandidatit për asamble komunale në Komunën e Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, Naser Ramadanit. Ai ka marrë maksimumin e pikëve totale – 165 sosh.
Insajderi ka realizuar edhe një storie lidhur me këtë rast, të cilin mund ta ndiqni pas pak në faqen zyrtare të mediumit.