Bajrami, pas rritjes së faturave të tatimit në pronë, në emër të LDK-së i kërkoi ministrisë së Financave që me vendim të veçantë të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fondit të patundshmërive dhe faturat e vitit 2023, sipas saj, të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.
Ajo tha se rritja e bazës tatimore për tatimin në pronë është rezultat i drejtpërdrejt i vlerësimit të pronave nga ana e ministrisë së Financave, teksa paralajmëroi se kërkesat e LDK-së do t’i paraqesin në formë rezolute.
“Rritja e bazës tatimore është arrogancë nga ana e kësaj qeverise e cila po shihet cdo ditë se i ka braktisur qytetarët”, është shprehur Bajrami.
Tutje, ajo foli edhe për propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha dje se qeveria është e gatshme t’i falë një pjesë të tatimeve, por u mbetet komunave që të vendosin.
“Propozimi i ministrit Murati është amatorizëm politik dhe shenjë e qartë e paaftësisë së tij. Ai nuk e ka idenë se si funksion ekonomia dhe nuk i njeh ligjet të cilat janë në kompetencë të zbatimit të dikasterit të tij. Ai nuk e dinë që kuvendet komunale nuk falin borxhe e as tatime. Kuvendet komunale nuk kanë të drejtë të falin një tatim i cili derivon nga një ligj i cili është i aprovuar në kuvend”, është shprehur Bajrami.

