Tash e gati një çerek shekulli, ura mbi lumin Ibër ndan në dy pjesë Mitrovicën – jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.
Çështja e hapjes së urës kryesore në Mitrovicë për trafik u aktualizua më 29 prill, kur këshilltarët në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut e kërkuan një gjë të tillë. Në këtë urë, tani për tani, mund të kalojnë vetëm këmbësorët, ndonëse, sipas Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ajo do të duhej të ishte e hapur edhe për automjete
Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit i është dorëzuar tashmë Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Këtë vendim e ka përkrahur Qeveria e Kosovës, duke thënë se është vendim i drejtë dhe i duhur.
“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, ka thënë Qeveria për transmetuesin publik.
Temën e urës së Ibrit e konsideron të ndjeshme deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Ura e Ibrit, ka qenë vatër e krizave në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është përdorur si karrem për ngritje të tensioneve nga shteti fqinj, Serbia”, tha Lekaj për Gazetën Sinjali.
“Serbia, padrejtësisht e ka pasur “karrotë” urën e Ibrit dhe Mitrovicën veriore, duke na kërcënuar në çdo moment, dhe duke e bërë vatër të krizave në mes të dy vendeve”, u shpreh ai.
Të enjten e 11 majit, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me të parin e Mitrovicës së jugut, Bedri Hamzën eci mbi urën e lumit Ibër për të vazhduar drejt veriut të Kosovës.
Lajçak nga Mitrovica tha se ura nuk mund të rihapet me pajtim vetëm të njërës palë, por vetëm kur të pajtohen të dyja palët.
E kjo deklaratë e Lajçakut, po i duket e njëanshme Lekajt. Sipas tij, emisari i BE-së, duhet të jetë neutral karshi Kosovës dhe Serbisë,
“Deklarata e Lajçakut është e njëanshme nga ana e Serbisë. Lajçak duhet ta ruajë neutralitetin në raport me të dy vendet. Ura e Ibrit dhe Mitrovica Veriore është pjesë e territorit dhe sovranitetit të Kosovës, ku kosovarët që mbi dy dekada kanë qenë të privuar nga e drejta e jetesës dhe lëvizjes në atë territor.
Prandaj z.Lajçak është dashur të gëzohet dhe ta përshëndet këtë të arritur të hapjes së Urës së Ibrit, e jo të kundërtën”, u shpreh ai.
Derisa flet për parakalimin e Lajçakut, Lekaj hamendëson se ndoshta është ndikuar nga qytetarët serbë të cilët i mbrojnë interesat e Serbisë.
“Ne e kuptojmë që ai ka dalur drejtpërdrejt tek ura, dhe aty ndoshta ka takuar qytetarë apo njerëz që mbrojnë interesat e Serbisë dhe i kanë folur për përshkallëzim e tensionim të situatës. Por, e vërteta është që kjo situatë është që 20 vite dhe po t’i pyesim serbët do të mbetët e njejtë edhe për shekuj të tërë”, tha ai.
Ai bëri thirrje që ura të hapet për qarkullim të automjeteve dhe Serbia “të qëndrojë dhe zbatojë secilën marrëveshje përballë shtetit tonë”.
Pas njoftimit se është marrë vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë. Lista Serbe ka lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.
Në një reagim të lëshuar, nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jolegjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhej në reagim.
Për këtë çështje është deklaruar edhe misioni i KFOR-it.
“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR.