Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj përmes një video të publikuar në rrjete sociale ka sfiduar Qeverinë Kurti, duke ia rikujtuar projektet që qeveria Haradinaj brenda 18 muajve kishte përfunduar gjatë kohës sa ai kishte qenë Ministër i Infrastrukturës.
Në videon e publikuar është përfshirë rruga Prishtinë-Podujevë, poashtu fillimi i autostradës Prishtinë-Mitrovicë.
Poashtu në pamjet e publikuara nga Lekaj është përfshirë edhe ndërtimi i Urës së Smolicës, si dhe rruga në Deçan, në kufirin me Malin e Zi.
Lekaj thotë se pika kufitare Kosovë-Shqipëri mori pamje krejt tjetër gjatë kohës sa ai ishte Ministër. Gjithashtu përmes kësaj video, deputeti nga radhët e AAK-së thotë se autostradën “Arbën Xhaferi” e gjetën me 10 kilometra, por që nën mandatin e tij ajo u finalizua e tëra.
Lidhur me këto projekte që Lekaj ka përmendur, ai thotë se janë vetëm disa që janë realizuar në kohën e Qeverisë Haradinaj
“Rikujtim: Këto janë vetëm disa nga projektet e Qeverisë Haradinaj për 18 muaj, të filluara e shumë të përfunduara gjatë mandatit tim si Ministër. Pa përfshirë projekte si Ushtria, Ligji për Prishtinën, Ligji për Trepçën e shumë projekte të tjera”, shkruan Lekaj në postimin e bërë me video në Facebook.
Ai ka ftuar Qeverinë Kurti që t’i prezantojë arritjet e tyre në këto pesë vite qeverisje.