Studim i ri nga Universiteti i Exeterit tregon se pirja e lëngut të rrepës së kuqe, i pasur me nitrate, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut te të rriturit më të moshuar.
Në studimin e botuar në revistën Free Radical Biology and Medicine, morën pjesë 75 persona, 39 më pak se 30 vjeç dhe 36 të moshës 60–70 vjeç.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe për dy javë.
-Njëri grup pinte çdo ditë lëng të rrepës së kuqe me përmbajtje të lartë nitratesh.
-Grupi tjetër pinte një version placebo, pa nitrate. Më pas pati një “periudhë pastrimi” përpara se grupet të ndërronin pijet, ka raportuar FoxNews.
Tek të moshuarit që pinin lëng të rrepës së kuqe me nitrate:
-U ulën bakteret në gojë të quajtura Prevotella, të lidhura me inflamacionin.
-U shtuan bakteret e dobishme, si Neisseria, që lidhen me shëndetin oral dhe kardiovaskular.
-Tensioni i gjakut ra ndjeshëm, krahasuar me grupin placebo ku nuk pati ndryshim.
“Ushqimet e pasura me nitrate ndryshojnë mikrobet në gojë në një mënyrë që ul inflamacionin dhe njëkohësisht ndihmon në uljen e tensionit të gjakut te personat më të moshuar”, ka thënë profesori Andy Jones, bashkautor i studimit.
Si funksionojnë nitratet?
“Ushqimet që janë të pasura me nitrate – si perimet me gjethe jeshile, panxhari dhe sallata – ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut”, ka thënë për Fox News, analisti mjekësor, Marc Siegel.
Ai ka shtuar se nitratet kur hyjnë në trup shndërrohen në oksid nitrik, molekulë e rëndësishme për shëndetin e enëve të gjakut sepse ndihmon që ato të zgjerohet dhe kështu ul tensionin e gjakut.
Pse ndikimi është më i madh te të moshuarit?
Siegel ka shpjeguar se me kalimin e moshës nivelet e oksidit nitrik në trup bien.
“Prandaj, ka kuptim pse shohim më shumë përfitim nga konsumi i nitrateve ushqimore te pacientët më të moshuar”, ka thënë ai.
Lee Beniston, nga Këshilli për Shkencat Biologjike dhe Bioteknologjinë në Britani, për studimin ka thënë se është shembull se si shkenca sqaron lidhjet mes ushqimit, mikrobiomes dhe plakjes.
“Ky studim është një shembull i shkëlqyer se si shkenca e ushqimit na ndihmon të kuptojmë lidhjet mes dietës, mikrobiomës dhe plakjes së shëndetshme. Ai hap mundësi të reja për përmirësimin e shëndetit vaskular përmes ushqimit”, ka theksuar Beniston.
Sipas studiuesve nevojiten kërkime të mëtejshme.
Siegel ka shtuar se studimi mbështet një parim të njohur.
“Dieta e pasur me fruta dhe perime të freskëta mund të ndihmojë në menaxhimin e shumë sëmundjeve kronike”, ka thënë ai.
Megjithatë, njerëzit me tension të lartë ose probleme të tjera shëndetësore duhet të konsultohen me mjekun përpara se të bëjnë ndryshime në dietë, sidomos nëse marrin medikamente.