Telenews

​LËVIZJA VETËVENDOSJE MBJELL FIDANË NË KUJTIM TË PERSONAVE TË PAGJETUR

Në oborrin e kampusit universitar janë mbjellë fidanë në kujtim të personave të pagjetur në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur fushatën për mbjelljen e 1617 fidanëve deri në datëlindjen e veprimtarit Ukshin Hoti.
Në Ditën e Personave të Pagjetur, partia në pozitë ka organizuar këtë aktivitet në kujtim dhe nderim të personave që nuk dihet fati i tyre tash e 23 vjet.
Deputetja Tinka Kurti ka thënë se lufta për familjarët e personave të pagjetur ende nuk ka përfunduar. Sipas saj, të njëjtit përballen me dhimbje e pikëllim për çdo ditë.
“Nisma e sotme është në kuadër të historisë së brezave të ardhshëm. Atëherë kur gjurmët e luftës të jenë shuar dhe të mos jenë të prekshme e të gjalla. Për studentët, të rinjtë paraqet një memorial pemësh që shënon mallin për humbjen e profesor Ukshin Hotit dhe të gjithë të tjerëve. Ky aksion i sotëm do të vazhdojë me mbjelljen e fidanëve deri në 17 qershorit, që është edhe datëlindja e Ukshin Hotit”, tha Kurti.
Më tej, Kurti shtoi se obligim që të shtohet presioni ndaj Serbisë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Deputeti Salih Zyba tha se tashmë kanë nisur fushatën për mbjelljen e 1617 fidanëve, që përkon me numrin e personave të pagjetur.
“Në këtë fushatë përputhen me numrin e saktë të të zhdukurve që nuk dihet për fatin e tyre, janë 1617 fidanë që do të mbillen. Por edhe në përditshmëri do të ketë deri tek numri final që nënkupton datën 17 qershor, si simbolikë e kësaj ngjarje”, tha Zyba.
Edhe deputeti Zyba theksoi se duhet të shtohet presioni në mekanizmat vendor e ndërkombëtarë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Nga 1617 persona që janë të zhdukur, sot e kemi këtë aktivitet simbolik, i cili na i kujton sot mungesën e tyre dhe vazhdimësinë se duhet të insistojmë me gjithë mekanizmat vendor dhe me presionin edhe te ndërkombëtarët që duhet të kemi një zgjidhje për fatin e tyre. Sot shënohet edhe dita e 27 prillit dhe viktimave të Mejës. Aty janë 377 persona që janë vrarë e masakruar në forma të ndryshme. Ky nderim për të rënët, për mungesën e tyre, për familjarët është obligim dhe porosi për institucionet, është mall dhe ndërgjegjësim për qytetarët dhe i ndërkombëtarëve për këtë ditë që po shënohet në këtë formë”, tha Zyba.
Edhe pas 23 vjetësh, Kosovës i mungojnë eshtrat e mbi 1600 personave të cilat janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar është gërmuar në nëntë lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi, ku janë gjetur 24 persona. /Sh.Pajaziti

Të ngajshme

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

Donat Hashani

Kurti sot mban këtë aktivitet me akterë nga Lugina

Donat Hashani

Oda Ekonomike e Kosovës sot hap këtë ngjarje me rëndësi të madhe

Donat Hashani