Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e mbajtur sot (e enjte) anëtarët e KQZ-së votuan kundër vendimit të komisionit për certifikimin e Listës Serbe.
Rekomandimi për certifikim u refuzua nga anëtarët e KQZ-së me 2 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenime.
Pro certifikimit të Listës Serbe votoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja e Listës Serbe në KQZ.
Para hedhjes në votim për certifikimin e Listës Serbe i parapriu një diskutim i ashpër mes anëtarëve të KQZ-së për certifikimin apo jo të kësaj partie.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, paraqiti para komisionit një dokument siç tha ai ku paraqiste kandidatin për kryetar të Komunës së Novobërdës nga kjo listë, Sasha Millosheviq, si anëtar të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë.
Sipas Kurteshit, Sasha Millosheviq, ushtronte funksionin e kryetarit të komunës paralele të Gjilanit.
Anëtarët tjerë të KQZ-së kërkuan që të merren verifikime nga institucionet e sigurisë, ndërkaq në votim abstenuan.