Telenews

Lista Serbe, zgjedhjet në veri: Çka tha dje Hovenier që e shtyri të reagojë edhe Serbinë?

Jeff Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është deklaruar dje për shumë çështje, nga ajo për rastin e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, shtensionmin në veri e kufijtë e shtetit të Kosovës. Si rrallë, Hovenier ishte i qartë në të gjitha frontet, duke bërë që të reagojë edhe Serbia në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan për Listën Serbe.

Pas hidhërimit për veriun, SHBA-ja duket se është hidhëruar edhe për rastin e Klan Kosovës.

Para gazetarëve të Kosovës, Hovenier deklaroi se SHBA-ja, plus partnerët e amerikanëve, janë të shqetësuar për rastin e Klan Kosovës.

“Nuk besoj që është mister që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë të shqetësuar me situatën. Thellë të shqetësuar.” – u shpreh ambasadori amerikan.

Hovenier vlerësoi se SHBA-ja dhe partnerët e amerikanëve, nuk e shohin këtë temë vetëm si çështje biznesi, por edhe si çështje të lirisë së mediave.

“Nuk e shohim këtë çështje thjesht si çështje biznesi. E shohim si çështje të lirisë së mediave dhe po e adresojmë si të tillë.” – ishte fjalia tjetër e qartë e ambasadorit për rastin në fjalë.

E pasi e krye çështjen e Klan Kosovës, Hovenier foli edhe për veriun. Së pari, ai tha se situata duhet të shtensionohet, duke e përmendur edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Për Qeverinë e Kosovës, ne po kërkojmë që ajo të ndërmarrë veprime që de-eskalojnë tensionet në veri dhe krijojnë një mjedis të ndryshëm në të cilin të dyja vendet mund të punojnë drejt zbatimit të plotë të zotimeve që kanë marrë në marrëveshjen e Ohrit. Për Kosovën kjo do të thotë të ecë përpara me njëfarë urgjence në procesin e negociatave dhe themelimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si pjesë e angazhimit të marrë nga Qeveria e Kosovës. Nuk është i vetmi detyrim që ka dhe kjo nuk është dispozita e vetme e marrëveshjes së Ohrit, por është e rëndësishme.” – tha ai.

E pasi e dërgoi mesazhin për Kosovën, Hovenier i kërkoi edhe Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj.

“Por po ashtu ne shikojmë që edhe qeveria e Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj, ajo ka hyrë në një sërë obligimesh dhe ato duhet të përmbushen. Dhe kjo është pjesë e asaj që diplomacia amerikane dhe diplomacia e kolegëve tanë të Bashkimit Evropian po përpiqet të arrijë.” – shtoi ambasadori amerikan.

Në mesazhet e tij, kryediplomati amerikan në Kosovë nuk e harroi as Listën Serbe e zgjedhje në veri, duke theksuar se SHBA-ja pret që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

“Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. – tha ai.

Tutje, Hovenier theksoi se Lista Serbe është një parti opozitare e Kosovës, shtet sovran e demokratik.

“Ne e konsiderojmë Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik. Dhe kështu, puna që bëjmë me Listën Serbe, një parti që është parti politike e Kosovës, parti opozitare në Kosovë, është e ngjashme me punën që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë, por nuk duhet të bëhet fjalë për pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se Kosova është disi diçka tjetër përveç shtetit të pavarur, dhe kjo përfshin veriun e Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pike.” – tha ai.

Në lidhje me këto deklaratat e fundit, kishte reagime edhe nga Serbia. Petar Pektkoviq, drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, i reagoi ashpër ambasadori amerikan në Kosovë.

“Ne e dimë mirë ambasador ku janë kufijtë në Kosovë, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të vet në Kosovë, e jo të ambasadave të huaja.” – ka shkruar ai në X.

Po ashtu edhe Lista Serbe ka dalë me një reagim pas deklaratës së ambasadorit Hovenier, i cili tha se kjo parti është si të gjitha partitë tjera opozitare, dhe që përfaqëson vetëm serbët etnikë në Kosovë, pra nga amerikanët nuk konsiderohet si parti serbe.

Në reagimin e tyre thuhet se kjo deklaratë u bë “për t’ia bërë qefin” opinionit publik në Kosovë, pas takimit që patën me emisarin Gabriel Escobar në Uashington.

”Përfaqësuesit e Listës Serbe kudo që janë, dhe këdo që takojnë do të përfaqësojnë gjithmonë interesat e popullit serb, sepse është detyrë e jona ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë. Gjithashtu duam të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur autoritetet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë, dhe jo nga diktimi i askujt, dhe se kështu do të vazhdojë të jetë”, thuhet në reagimin e tyre.

“Si në Uashington, e Prishtinë, ashtu edhe si në çdo qytet të botës apo përballë ndërtesave komunale me qytetarët e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike, ne gjithmonë do të luftojmë për të drejtat e popullit serb, mbijetesën dhe qëndrimin e tyre ne vatrat e tyre shekullore”, vazhdon reagimi.

Të ngajshme

Gara për asamble, kush po prin në Mitrovicë?

Donat Hashani

Donald Tump, “kryezjarrfikësi” që po shuan zjarre, por që s’e vë re prushin në Kosovë

Donat Hashani

Dalin votat e kandidatëve për asamble të Fushë-Kosovës

Donat Hashani