Telenews

Lladrovci hap fushatën në Drenas: Me 12 tetor do t’ua tregojmë vendin atyre që deshën rikthimin e keqbërësve

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kandidon për një mandat tjetër përmes iniciativës “Për Drenasin Kampion”, ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Para qytetarëve, Lladrovci tha se mandati i tij është shoqëruar me rezultate dhe se nuk do të lejojë rikthimin e, siç i quajti, keqbërësve.

“Kemi bërë punë. E ardhmja e komunës sonë është në duart tona. Unë angazhohem për Drenasin Kampion. Kam pasur vërejtje ndaj lidershipit, atyre që provuan të na largojnë nga qeverisja e shkëlqyer dhe të thonë sikur Drenasi ka nevojë për bedel e rikthim të keqbërësve. Bashkë do t’ua tregojmë vendin me 12 tetor”, deklaroi ai.

Duke folur për integritetin politik, Lladrovci tha se Drenasi ka dinjitetin për të refuzuar votimin e verbër.

“Në Drenas e kemi krenarinë dhe integritetin për t’i thënë ‘Jo dadës Razë dhe votimit symbylltas’. Sepse nuk kemi deficit atdhedashurie. Ne planifikojmë takimet dhe vizitat, nuk veprojmë shkel e shko sikur disa patriotë që shiten se kanë kontribuar për çlirim”, u shpreh ai.

Ai shfrytëzoi rastin të përshëndeste qytetarët që po udhëtonin për të marrë pjesë në protestën në Hagë për mbrojtjen e figurës së UÇK-së.

“Përshëndes të gjithë ata që janë në rrugë për protestë. Përshëndes delegacionin e prirë nga Mixhen Bucolli bashkë me veteranë nga komuna jonë”, tha Lladrovci.

Kryetari i Drenasit komentoi edhe zhvillimet e fundit politike pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, duke u shprehur se mirënjohja ndaj aleatëve është parim, jo servilizëm.

“Mirënjohja ndaj shteteve aleate nuk është servilizëm, ne jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj NATO-s në krye me SHBA-të”, përfundoi ai.

Të ngajshme

Horoskopi ditor, e diel 14 shtator 2025

Valjeta Turkaj

Ngjarjet e ditës: 14 shtator 2025

Valjeta Turkaj

Besnik Osmani hap fushatën zgjedhore në Fushë Kosovë

Valjeta Turkaj