Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në “Marshin për Liri” të mbajtur sot në Prishtinë, duke shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci ka kujtuar, siç ka thënë ai, historinë e rezistencës së shqiptarëve ndaj pushtimeve dhe luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
“Po na jemi ata që e filluam me hedhje gurësh kundër tankseve serbe, jemi po ata që e filluam me dy e tre karikatorë revolesh, na jemi ata që me çifte kemi gjuajtur mbi Migët luftarak të okupatorit”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se qytetarët sot janë mbledhur në Prishtinë për drejtësi, liri dhe pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
Në fund, Lladrovci ka shprehur pritjen që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të pafajshëm në Kosovë.“Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!”, ka përfunduar Lladrovci.

