Jehona Lushaku Sadriu, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të përmbushë premtimet e saj dhe është shndërruar në simbol të korrupsionit në vend, ndonëse kishte ardhur në pushtet me kauzën kundër korrupsionit.
Ajo ka deklaruar se qeveritarët që kanë uzurpuar zyrat e shtetit mbajnë përgjegjësi për vendimet që po i marrin në mënyrë të papajtueshme me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, përfshirë në procedurat e prokurimit, të cilat po dëmtojnë buxhetin e Kosovës.
“E para, të gjithë këta që i kanë uzurpuar zyrat e qeverisë, mbartin përgjegjësi për të gjitha këto vendime që po i marrin në mënyrë jo kushtetuese. Aq më tepër për procedurat e prokurimit e për procedura të tjera ku nënshkrimet e tyre validon për zgjedhje që janë në dëm të buxhetit të Kosovës. Ne mirëpresim çfarëdo lloj hetimi për të sqaruar tenderët dhe burimet e tyre. Është e pakapshme se si një qeveri, një parti politike ka ardhur në pushtet me kauzën kundër korrupsionit dhe tani po bëhet simbol i korrupsionit në vend. Nuk e di çka duhet të ndodhë për të u bërë e qartë se qeveria Kurti ka bërë dëm epokal shtetit të Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.