Ministria e Jashtme e Malit të Zi hodhi poshtë si “të pabazuara dhe të paargumentuara” pretendimet e Serbisë, të cilat u bënë pas deklaratës së Podgoricës për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në një deklaratë zyrtare, ministria malazeze theksoi se përpjekjet për të paraqitur qëndrimet e saj si kërcënim ndaj interesave të Serbisë janë plotësisht të pabazuara dhe e konsideroi shqetësuese paraqitjen e mbështetjes për Kosovën si “veprim antiserb”, duke theksuar se mesazhe të ngjashme vijnë edhe nga shtete të tjera.
Pak më parë, ministri i Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviç, kishte deklaruar se Mali i Zi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, duke theksuar se kjo nuk do të rrezikojë koalicionin qeverisës, edhe pse disa parti brenda tij nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.