Telenews

Manchester United me katër mungesa para përballjes me Chelsean –

Kobbie Mainoo pritet të rikthehet në skuadrën e Manchester Unitedit për përballjen e së shtunës ndaj Chelseat, në “Stamford Bridge”, megjithatë trajneri Michael Carrick do të vazhdojë të ketë katër futbollistë jashtë fushave për shkak të lëndimeve.

Mesfushori anglez ka munguar në katër ndeshjet e fundit të Unitedit për shkak të një problemi muskulor. Gjatë kësaj periudhe, skuadra ka regjistruar katër humbje dhe një barazim.

Megjithatë, 21-vjeçari është rikthyer në stërvitje të plotë të mërkurën në mëngjes, duke shtuar gjasat që të jetë i gatshëm për duelin ndaj londinezëve.

Mainoo ishte gjithashtu në mesin e 22 futbollistëve të Manchester Unitedit që u fotografuan të premten, teksa udhëtonin me tren nga stacioni Stockport drejt kryeqytetit.

Në mesin e lojtarëve që nuk u panë në këtë grup ishin Marcus Rashford dhe Luke Shaw.

Për gjendjen e fundit të Shaw nuk janë dhënë shumë detaje, ndërsa mbrojtësi ka munguar në katër ndeshjet e fundit të skuadrës. Paraqitjen e fundit e kishte bërë në barazimin 1-1 ndaj Tottenhamit.

Mungesa e tij ka krijuar vështirësi në krahun e majtë të mbrojtjes, duke rikthyer në vëmendje vendimin e klubit për të mos transferuar një futbollist tjetër në këtë pozitë gjatë afatit kalimtar të verës.

Ndërkohë, Rashford ishte një zëvendësues i papërdorur në ndeshjen ndaj Leedsit në fillim të këtij muaji, por më pas mungoi në humbjet kundër Comos dhe Bournemouthit për shkak të një problemi në ijë.

Për momentin, nuk ka informacione të tjera për gjendjen e tij shëndetësore dhe as një datë të përafërt të rikthimit.

Jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Patrick Dorgu, i cili po rikuperohet nga lëndimi në muskujt e pasmë të kofshës, të pësuar gjatë pushimit të ndeshjeve të kombëtareve në shtator.

Lista e futbollistëve të lënduar te Manchester Unitedi plotësohet nga Benjamin Sesko. Sulmuesi slloven pritet të mbetet jashtë fushave të paktën deri në janar, për shkak të një lëndimi në pjesën e poshtme të këmbës.

Të ngajshme

Mauro Icardi me dedikim emocional ndaj tifozëve të ish klubit Galatasaray!

Rrezarta Ramaj

​Milan – Inter, fundjava sjell derbin e madh italian

Rrezarta Ramaj

Akil Gjakova mposhtet në çerekfinale, vazhdon në repesazh për medaljen e bronztë

Rrezarta Ramaj