Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe homologu i saj nga Mbretëria e Danimarkës, Peter Hummelgaard, vizituan sot Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Ministrat, para vizitës patën dhe një takim, ku u diskutua për përparimin në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të Traktatit mes dy vendeve.
E ani pse puna më e madhe tani i takon delegacionit të Danimarkës, Haxhiu thotë se do ta kenë përherë mbështetjen e Kosovës.
“Sigurisht kemi shumë punë për të bërë, dhe ky është vetëm fillimi, jemi shtet serioz, jemi vend demokratik, pra zotimet që i bëjmë i marrim seriozisht. Puna kryesore do të jetë e tyre, por do ta kenë mbështetjen tonë në vazhdimësi”, tha Haxhiu para gazetarëve.
“Siç e dini marrëveshja ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo ka qenë e mundur nga deputetët. Po ashtu, kur ka pasur nevojë Danimarka për ndihmë, ne si qeveri kemi bërë aq sa kemi mundur për t’i dalë në ndihmë”.

