Gjatë këtij viti, Kosova ka blerë dy objekte për misionet diplomatike jashtë vendit: një për ambasadën në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një objekt tjetër për Konsullatën në Strasburg të Francës.
Ndërkohë, me projeksionet e reja buxhetore, Qeveria ka paraparë që rreth 10 milionë e 300 mijë euro t’i bartë nga buxheti i sivjetmë në buxhetin për vitin 2025, për blerjen e objekteve për ambasadat e Kosovës në shtete të ndryshme të botës.
Kryeministri, Albin Kurti, në tetor 2024, pati paralajmëruar se janë në proces të blerjes së objekteve për ambaadat në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada.
Në Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025 nga Qeveria e Kosovës, pasqyrohet se gjatë vitit 2025 nuk do të ndahet buxhet i ri për blerjen dhe renovimin e ambasadave, por mjetet do të barten nga buxheti i këtij viti.
Kështu, 1 milion e 400 mijë janë planifikuar të barten për renovimin e ambasadave, ndërsa 400 mijë euro tjera për vetura të ambasadave.
Buxhet e ri është planifikuar të ndahet vetëm për mobilim të ambasadave dhe për pajisje teknologjike. Për mobile janë dedikuar 300 mijë euro, kurse për pajisje teknologjike 150 mijë euro.
Projektbuxheti i përgjithshëm me vlerë 3 miliardë e 608 milionë euro është shqyrtuar më 06.11.2024 në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, me ç’rast ka marrë mbështetje vetëm nga pesë deputetët e Grupit parlamentar të LVV-së: Armend Muja, Jeta Statovci, Enver Haliti, Nijazi Isaku dhe Shqipe Metaj, si dhe nga deputetja e Grupit multetnik, Duda Balje. Ndërkaq, deputetët opozitarë, anëtarë të këtij komisioni e kanë kundërshtuar dhe kanë paralajmëruar se grupet e tyre parlamentare nuk do ta votojnë këtë projektbuxhet në seancë plenare.
Në fakt, Projektbuxheti për vitin 2025, do të shqyrtohet në seancën e javës së ardhshme të Kuvendit, më 11.11.2024.
Në tetor, u përurua objekti i ri i Konsullatës me një sipërfaqe prej 350 m² i cili është i vendosur në një “zonë strategjike” ngjitur me qendrën historike të qytetit, prapa katedrales së njohur “Saint Paul”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati treguar se objekti i konsullatës së Kosovës është i vendosur “në mes të aleatëve më të fortë të Kosovës, misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë”.
Poashtu në maj të këtij viti, Kosova përuroi objektin e ambasadës në Uashington.
Në buxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës nuk kishte planifikuar ndarjen e mjeteve të reja për blerjen e objekteve për nevoja të ambasadave në vendet e jashtme, por vetëm ka bartur miliona nga buxhetit i vitit të kaluar.
Sipas projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2024, për blerjen e ambasadave ishin planifikuar të shpenzoheshin 10 milionë e 125 mijë euro- të gjitha këto mjete të bartura nga viti 2023.
Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.
Kryeministri Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.
Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.
Për vitin 2025 buxheti i projektuar është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024.