Mbretëria e Bashkuar nuk ka plane për të zhvendosur ambasadën e saj të Izraelit në Jeruzalem, sipas një zëdhënësi të kryeministrit të ri, Rishi Sunak, duke hedhur poshtë shqyrtimin e paraardhëses së tij, Liz Truss, për një zhvendosje të mundshme të ambasadës.
Kur u pyet nëse Mbretëria e Bashkuar po konsideronte ende zhvendosjen, zëdhënësi tha se qeveria nuk ka plane të tilla.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur për dekada ambasadën e saj në Tel Aviv, ku shumica e vendeve të tjera kanë pikat e tyre diplomatike, pavarësisht se Izraeli e ka caktuar Jeruzalemin si kryeqytet.
Njoftimi i Truss në fund të shtatorit se ajo po konsideronte zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem u mirëprit në atë kohë nga kryeministri izraelit, Yair Lapid, por shkaktoi reagim nga qeveria palestineze, grupet pro-palestineze, krerët e kishës britanike dhe ministrat e jashtëm evropianë.
Jeruzalemi mbetet në qendër të konfliktit izraelito-palestinez prej dekadash, me Autoritetin Palestinez që këmbëngul se Jeruzalemi Lindor – i pushtuar ilegalisht nga Izraeli që nga viti 1967 – duhet të shërbejë si kryeqytet i një shteti palestinez.
Ekziston një konsensus global kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit derisa të zgjidhet konflikti palestinez, raporton AlJazeera.
Por, Shtetet e Bashkuara e njohën Jeruzalemin si kryeqyetet të Izraelit, nën administratën Trump. Vendimi u mirëprit nga Izraeli dhe u kritikua nga bota arabe dhe aleatët perëndimorë.
Në atë kohë, Mbretëria e Bashkuar, nën udhëheqjen e kryeministres së atëhershme Theresa May, tha se nuk kishte plane për të zhvendosur ambasadën e saj dhe publikisht nuk pajtohej me lëvizjen e SHBA-së.
Aktualisht, vetëm SHBA, Kosova, Hondurasi dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem.