Telenews

Mbrojtësi i Prishtinës, Ron Raçi i lumtur që u ftua te Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore që do t’i zhvillojë këtë muaj ndaj Armenisë dhe Komoreve. Në mungesë të disa emrave kryesorë, trajneri Franco Foda ka ftuar disa lojtarë të rinj, të cilët po e shohin këtë si mundësi për të treguar veten.

Njëri prej tyre është edhe mbrojtësi i Prishtinës, Ron Raçi, i cili fillimisht ishte në listën rezervë, por më pas mori ftesë nga selektori gjerman.

Raçi u shpreh i emocionuar që do ta veshë fanellën e Kosovës.

“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve. Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit. Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja. Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori”, ka thënë Raçi për sajtin zyrtar të FFK-së.

Kosova ka zhvilluar tashmë tri seanca stërvitore, ndërsa atmosfera në kampin “Dardan” raportohet të jetë pozitive. Sipas trajnerit dhe stafit teknik, synimi kryesor është përgatitja për ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror që nis në shtator.

Edhe lojtari i krahut, Donat Rrudhani, tashmë një emër i konfirmuar në ekipin kombëtar, ka folur për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve miqësore.

“E dimë që janë dy miqësore shumë të rëndësishme dhe duhet t’u qasemi me shumë seriozitet, duke u përgatitur maksimalisht si individë, por edhe si grup. Lojtarët e rinj i kemi pritur shumë mirë dhe besoj që janë ambientuar. Shpresoj që edhe ata do të tregojnë potencialin e tyre në këto miqësore”, deklaroi ai.

Kosova do të përballet me Armeninë të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ndeshjen tjetër do ta zhvillojë të hënën ndaj Komoreve.

Të ngajshme

Arbër Hoxha “pranon” humbjen nga Letonia për fitore ndaj Serbisë

KushtrimGuraj

Kosova 3×3 në basketboll angazhon komplet lojtarë të Superligës

Donat Hashani

Ku po i shpenzojnë Shaqiri e Xhaka milionat e fituara nga futbolli?

Valjeta Turkaj