Seanca gjyqësore në rastin e Pjetër Shalës, po vazhdon me kundra-pyetjet e mbrojtëses së Shalës, Leto Cariolou, për dëshmitarin e tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zbynek Dolejshi.
Seanca është duke vazhduar në sesion publik.
Rasti Pjetër Shala, dëshmitari pohon përpilimin e dy raporteve gjenetike më 2009 dhe 2023
(Përditësuar, ora 12:27)- Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari i tetë Zbynek Dolejshi, duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, pohoi se ka përpiluar dy raporte gjenetike, fillimisht raportin e vitit 2009 dhe pastaj edhe një raport të vitit 2023.
Fillimisht, me pyetje nisi prokurori special Filipo De Minicis, meqë rast dëshmitari sqaroi se mban pozitën e shefit të Departamentit Gjenetik të Institutit të Kriminologjisë në Pragë- Republika Çeke, duke punuar edhe si ekspert i kësaj fushe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Dolekshi fillimisht sqaroi se ka të përfunduar dy cikle fakultetesh lidhur me shkencën e kriminologjisë dhe nënvizoi faktin se merret me analizat e ADN-së së njeriut, dhe po ashtu shtoi se mban edhe pozitën e kolonelit pranë Policisë Çeke.
Për raportin e vitit 2009, dëshmitari Doljeshi tha se si Institut kanë pasur për detyrë të përcaktojnë lidhjen biologjike të materialit që iu është dorëzuar me prindërit e mundshën biologjik, me një material të një trupi të vdekur.
“Ishte një kërkesë standarde, ku na u kërkua të bëjmë përcaktimin e lidhjes biologjike, na u dha material ndaj prindërve të mundshëm biologjik edhe të një materiali të trupit të caktuar të vdekur”, tha dëshmitari Dolejshi.
Në atë raporti, sipas dëshmtiari kishin ardhur në përfundimin se krahasimi i ADN-së nga dy subjekte njerëzish A dhe B përkon me kockën që kishin pranuar si institut.
Ndërsa, i pyetur lidhur me raportin e dytë të vitit 2023, dëshmitari sërish pohoi se e ka hartuar atë raport përmes të cilit ka bërë lidhjen e mundshme biologjike midis subjektit A dhe B me personin që i përkiste kocka eshtërore.
Dëshmitari Dolejshi sqaroi se nga 16 shënues- markues që nxorën për lidhjet e mundshme të ADN-së së personave në raportin e vitit 2023, kishin arritur të nxjerrin vetëm 9 shënues markues.
Paraprakisht, me të filluar seanca gjyqësore, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia njoftoi se ka pranuar kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarit Shala lidhur me zgjatje e afatit për 5 ditë të apelimit të fakteve të konstatuara në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore.