Telenews

Mbrojtje e aferave, sulme ndaj Prokurorisë dhe mediave – Intervista e Kurtit në televizionin publik

Mbrojtje e aferave që janë raportuar nga mediat, përkrahje për ish-kryeshefin e KEK-ut, sulme ndaj Prokurorisë, kontradikta e deri të mllefi ndaj mediave e karakterizuan paraqitjen e Kryeministrit Albin Kurti, në televizionin publik.

Kurti nisi intervistën me pretendimin e zakonshëm për “rritje impresive ekonomike”.

Te çështja e punësimit, ndonëse fillimisht pretendoi rritje të punësimit përgjatë katër viteve të fundit, pranoi se rënia e papunësisë në Kosovë është rezultat i “formalizimit të tregut të punës” dhe se migrimi mund të ketë pasur gjithashtu ndikim.

“Ka ndikuar formalizimi i vendeve të punës, mund të ketë ndikuar edhe migrimi por ai ka ndikuar më shumë në të kaluarën. Unë besoj që nuk ka migrim edhe për shkak të krizë që po kalon Bashkimi Evropian.” – tha Kurti gjatë një interviste në RTK.

Sulme ndaj Prokurorisë

Zemërimi i Kurtit nisi kur u pyet për hetimet për afera që përfshijnë ministrat e tij.

Ndonëse refuzoi të flasë rreth këtyre hetimeve, ai nuk ngurroi të vazhdonte sulmet e ashpra ndaj prokurorisë, duke e akuzuar atë për përfshirje në “persekutim”.

“Pati disa mësymje të Prokurorisë tek ministrat tanë, dhe në fund përfunduan në rastë procedurale që do të duhej të ishin civile, administrative, jo penale. Por pikërisht për të arsyetuar vetën filloj një lloj persekutimi. Paramendoni, po të kishte pasur korrupsion te ne çka do t’na bënin. Këto na i kanë bërë duke mos pasur korrupsion.” – tha Kurti.

Mbrojtja e Nagipit Krasniqit

Qëndrimin me kontrovers në të gjithë intervistën, Kurti e ruajti për Nagip Krasniqin, të cilit iu ngrit edhe aktakuza e dytë nga Prokuroria Speciale.

Kurti i quajti “sulm” aktakuzat ndaj ish-drejtorit, duke e portretizuar atë si viktimë të suksesit të tij.

“Drejtori, kryeshefi Krasniqi 105 milionë euro fitimin KEK-ut në vitin 2022, ky i ka çmendur kundërshtarët tjerë një pjesë e madhe e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulm që është bërë ndaj drejtorit është bërë për shkak të suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij, dhe tash rasti është komplet procedural, jo i ke nënshkrua kontratat ose dokumentet e caktuara me kohë ose jo. Çështje procedurale.” – tha ai.

Përballë pyetjes rreth nepotizmit të shfrenuar gjatë katër viteve të fundit, kryeministri Kurti u hodh në kundërsulm, duke kritikuar jo vetëm pyetjen, por edhe vetë integritetin e mediave online në Kosovë.

“Titujt… në cilat portale. Këta janë tituj të portaleve. Ne jemi në televizion publik. Portalet sot në Kosovë… me të vërtetë duhet të pyesësh se kush është pronari. Prandaj ne edhe mendojmë që në Kosovë ka nevojë të bëhet Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Çfarë titujsh po shfaqen në portale, me m’i sjellë mu si pyetje në televizion publik nuk po më duket në rregull.” – tha ai.

Kurti nuk u ndal me kaq, duke drejtuar gishtin drejt portaleve private në përpjekje për të diskredituar integritetin e tyre,

“Shumica dërrmuese e sulmeve të portaleve private, jo publike, janë për shkak se janë kundër Qeverisë. Për shkak se janë për ata që kanë qenë para neve.” – vazhdoi sulmet Kurti.

Të ngajshme

FSK përballë sukseseve, sfidave e angazhimeve gjatë vitit 2024

KushtrimGuraj

Pacolli thotë se Kosovës së shpejti i vijnë njohje të reja

Donat Hashani

Kaq orë po presin mërgimtarët në pikat kufitare

Donat Hashani