Telenews

Mbyllet Aeroporti i Mynihut

 


Aeroporti i Mynihut në Gjermani është mbyllur, sepse disa aktivistë për mbrojtjen e klimës ndodhen në pistën e tij, raporton gazeta “Die Welt”.

Kjo gazetë thotë se aeroporti u detyrua që t’i anulonte të gjitha fluturimet në fillim të disa festave lokale dhe se disa persona janë ngujuar në pistë.


Disa aktivistë për mbrojtjen e klimës hynë në zonën e aeroportit të shtunën në mëngjes, kaluan një rrethojë dhe u ulën në pistë, tha një zëdhënës i aeroportit. Ata bllokuan dy rrugë anësore që çojnë në dy vija të pistës.

Për arsye sigurie, të gjitha fluturimet u ndërprenë, prandaj fillimisht nuk qe e mundshme që të realizohej ndonjë nisje ose aterrim. Pak më vonë, megjithatë, një pistë u hap dhe operimet nisën prapë, me vonesa. Policia tha se ka arrestuar tetë persona.

Sipas shpjegimit të zëdhënësit të aeroportit, nga veprimi i aktivistëve fillimisht u prekën vetëm aterrimet e planifikuara nga ora pesë e mëngjesit, sepse nisjet lejoheshin vetëm nga ora gjashtë. Aeroplanët që po vinin drejt këtij aeroporti u drejtuan për në aeroporte të tjera.

Aeroporti po priste shumë udhëtarë në fundjavën e parë të festave lokale. Rreth 350 mijë pasagjerë priteshin nga e premtja deri të dielën. Në Aeroportin e Mynihut ishin planifikuar 2.860 fluturime gjatë kësaj periudhe.

Një reporter i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, arriti që të shihte të paktën dy personaulur në pistë. Raportohet se forca të shumta të policisë ishin në vendin e ngjarjes.

Në të kaluarën aktivistët e grupit që e organizuan këtë veprim kishin zhvilluar aksione të ngjashme edhe në disa aeroporte të tjera të Gjermanisë, si në Berlin, Hamburg e Dyzeldorf.

Të ngajshme

Historiani Schmitt: Duhet të përgatitemi për luftë, Kosova është më e rrezikuara

Erzana Fazliu

Moti sot

Erzana Fazliu

Haxhiu: Absurde që Thaçit nuk i lejohet ardhja në varrim, do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara

Donat Hashani